Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se publiku mund të ketë mundësi të ndjekë drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të Nidal Hasan, ish-majorit të ushtrisë amerikane, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve në vitin 2009.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Mbrojtjes, ekzekutimi pritet të transmetohet drejtpërdrejt në internet. Nëse realizohet, kjo do të ishte një ngjarje e pazakontë në SHBA, ku ekzekutimet publike nuk janë kryer në këtë formë prej gati një shekulli.
Hasan, i cili shërbente si psikiatër në ushtrinë amerikane, hapi zjarr në një ndërtesë mjekësore të mbushur me njerëz në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Nga sulmi mbetën të vrarë 13 ushtarë të paarmatosur.
Pentagoni njoftoi se ekzekutimi është planifikuar të zhvillohet më 3 dhjetor në Fort Hood. Nëse kryhet, ai do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA në më shumë se 60 vjet dhe ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim që nga viti 1945.
Megjithatë, vendimi për transmetimin drejtpërdrejt ka shkaktuar reagime të forta. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se një veprim i tillë do të ishte i barasvlershëm me një ekzekutim publik dhe do të përbënte shkelje të ndalimit absolut të torturës.
Edhe senatori demokrat Chris Murphy e kritikoi ashpër idenë, duke e cilësuar atë si të neveritshme dhe duke e krahasuar me ekzekutimet e kryera nga organizata terroriste Shteti Islamik.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Hasani do të ekzekutohet nga një skuadër ushtarësh, ndërsa i pyetur nëse i dënuari kishte bërë ndonjë kërkesë të fundit ose kishte kontaktuar presidentin Donald Trump, ai u përgjigj se kjo nuk i interesonte.
Pentagoni bëri të ditur se Trump ka miratuar rekomandimin për ekzekutimin. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse presidenti mbështet edhe transmetimin e tij drejtpërdrejt.
Një prej personave që i mbijetoi sulmit, ish-rreshteri Alonzo Lunsford, i cili u qëllua shtatë herë, tha se e mbështet ekzekutimin me pushkatim, duke e konsideruar një dënim të përshtatshëm për atë që ndodhi. Ai deklaroi se planifikon të jetë i pranishëm në ekzekutim dhe dëshiron që Hasani ta shikojë në sy përpara se të qëllohet.
“Dua që ai ta dijë se ka dështuar. Unë jam ende këtu”, u shpreh Lunsford.
Megjithatë, ai ka rezerva për transmetimin e drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, pasi shqetësohet për ndikimin që pamje të tilla mund të kenë te të rinjtë. Sipas tij, familjet e viktimave dhe personat që i mbijetuan sulmit duhet të kenë mundësi ta ndjekin ekzekutimin.
Ekspertët ligjorë ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe mundësinë e realizimit të ekzekutimit në datën e caktuar. Avokati John Mills tha se procesi i apelimit të Hasanit nuk ka përfunduar dhe se ai mund të kërkojë shqyrtimin e dënimit nga një gjykatë federale. Një veprim i tillë mund të çojë në pezullimin e ekzekutimit.
Për këtë arsye, Mills shprehu dyshime se ekzekutimi do të kryhet në datën e planifikuar, duke argumentuar se ideja e transmetimit drejtpërdrejt duket më shumë si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen sesa si një hap drejt drejtësisë.
Edhe profesoresha e së drejtës Deborah Denno vuri në dukje se në SHBA nuk është transmetuar më parë drejtpërdrejt një ekzekutim. Sipas saj, një transmetim i tillë do të sillte një nivel të pazakontë transparence mbi mënyrën se si zbatohet dënimi me vdekje.
Një tjetër çështje e rëndësishme është mosha e personave që do të mund ta ndjekin transmetimin. Rregullat e ushtrisë amerikane nuk lejojnë personat nën 18 vjeç të jenë dëshmitarë të ekzekutimeve ushtarake. BBC i ka kërkuar Pentagonit dhe ushtrisë amerikane të sqarojnë nëse këto kufizime do të zbatohen edhe për transmetimin në internet dhe çfarë masash do të merren për të mbrojtur të miturit.
Ndërkohë, të dhënat e organizatës Amnesty International tregojnë se në vitin 2025 në botë u kryen më shumë se 2.700 ekzekutime në 17 vende. Numri më i madh u regjistrua në Kinë, Iran, Arabinë Saudite, Jemen dhe SHBA.
Në SHBA, mbështetja për dënimin me vdekje mbetet e lartë. Sipas një sondazhi të publikuar nga Pew Research në korrik, 66% e amerikanëve mbështesin ekzekutimin e personave të dënuar për vrasje.
Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA u krye në vitin 1961, ndërsa ekzekutimi i fundit ushtarak me pushkatim daton në janar të vitit 1945, gjatë Luftës së Dytë Botërore.


