Mojtaba Khamenei ka dhënë mesazhin e tij të parë si Lider Suprem Iran. Deklarata e Khameneit, u lexua në median shtetërore iraniane, shkruan CNN.
Khamenei ka bërë thirrje për unitet midis popullit iranian dhe paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe detare, do të mbetet e mbyllur si një “mjet presioni”. Në deklaratë thuhej se Irani nuk do të hezitojë të “hakmerret për gjakun e iranianëve” që janë vrarë.
Sipas 56-vjeçarit, të gjitha bazat amerikane në rajon duhet të mbyllen ose “do të sulmohen”.
Lideri Suprem i Iranit paralajmëroi SHBA-të dhe Izraelin se duhet të paguajnë “kompensim” për veprimet e tyre. Khamenei nuk i përmendi dy vendet me emër, duke iu referuar vetëm si “armik”.
“Do të kërkojmë kompensim nga armiku. Nëse nuk mund të marrim kompensim nga armiku, do t’i shkatërrojmë pronat e tyre aq sa kanë shkatërruar ata tonat”, tha ai.
Khamenei paralajmëroi se Irani do të vazhdojë të shënjestrojë vendet fqinje në shenjë hakmarrjeje.
“Ne kemi pasur marrëdhënie të mira me të gjitha këto 15 vende fqinje… ne shënjestruam vetëm këto baza ushtarake dhe do të vazhdojmë, do të duhet të vazhdojmë dhe ta bëjmë këtë. Këto vende duhet ta bëjnë të qartë detyrën e tyre ndaj pushtuesve të atdheut tonë të dashur dhe vrasësve të popullit tonë”, shtoi ai.
Mojtaba Khamenei u zgjodh Lider Suprem i Iranit pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve të SHBA dhe Izraelit.
Khamenei nuk është shfaqur publikisht që kur u zgjodh për të pasuar të atin, teksa është raportuar se është plagosur nga sulmet./abcnews.al


