Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kokaina nga Kolumbia/ SPAK zbulon 5 persona të tjerë si pjesë e grupit që trafikoi drogën

schedule17:54 - 6 Mars, 2026

schedule 17:54 - 6 Mars, 2026

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar 5 persona të tjerë, si pjesë e grupit kriminal që trafikuan nga Kolumbia në Shqipëri 490 kg kokainë të përzier me pleh kimik, ngarkesë kjo që u gjet në Frakull të Fierit, në nëntor të vitit 2022.

Sipas SPAK, policia ka arrestuar, Klevent Gjolena ndërsa masën e re të arrestit në burg, u ka komunikuar në qeli Aldi Zonjës dhe Musa Gjikolës. Në kërkim  janë shpallur Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi, ky I fundit me precedent penal në Shqipëri dhe në Itali. Autoritetet italiane e kanë cilësuar Durim Kecin si person pjesë e mafias shqiptare dhe me rrezikshmëri të lartë. Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës në Itali, në vitin 2013, me 9 vjet, 7 muaj burg.

Rezulton se Aldi Zonja, u arrestua me urdhër të SPAK, më 17 Nëntor 2024, pas zbulimit të një laboratori kokaine në Qerekë dhe një tjetri te Kodra e Diellit. Ndërkohë edhe Musa Gjikola rezulton të jetë arresuar me 11 korrik 2025 si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë por edhe që ndërhynte në sistemin gjyqsor me pretendimet se mund të ndikonte tek vendimet. Në fillim të shkurit të këtij viti Musa Gjikola u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim.



Sipas SPAK, hetimi u nda në një procedim pa emër ku u zbulua se Klevent Gjolena, Aldi Zonja, Musa Gjikola tashmë të arrestuar dhe dy të shpallurit në kërkim Kevin Margjoni dhe Durim Keçi, janë pjesë e grupit prej 10 personash që trafikuan kokainën nga Kolumbia në Shqipëri të përzier me pleh kimik. Për këtë rast, në qershor të vitit 2024 u dënuan me 89 vite burg nga Gjykata e Posaçme Nikolin Gjolena, Viktor Cervanaku, Enxhi Ferhati, Klajdi Kodra, Bledar Matoshi, Denilson Çervanaku, Zenel Çervanaku , Redion, Julian Malaj dhe Marildo Rona.

Nga hetimet rezultoi se lënda narkotike u fsheh dhe u transportua nëpërmjet një ngarkese me pleh organik artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontejner, që është transportuar nga Kolumbia në Portin e Pireut në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Barit, në Malin e Zi. Në rrugë tokësore ngarkesa u fut në Shqipëri më 19 shtator 2022 dhe pasi u zhdoganua në Doganën e Tiranës, u transportua në fshatin Frakull e Madhe në Fier, ku dhe u sekuestrua./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!