Zgjedhja e presidentit të ri të vendit është çështja më e nxehtë politike për momentin në Kosovë. Presidentja aktuale Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundon më 4 mars, ka publikuar në faqen e saj në “Facebook” një përmbledhje të intervistave të saj në mediat ndërkombëtare me mesazhin se në çdo intervistë ka patur një qëllim të qartë: mbrojtjen e Kosovës dhe fuqizimin e zërit të popullit të saj.
Por për tu rizgjedhur presidente asaj i duhen 80 vota, ndaj duket se gjithçka për momentin është në duart e Albin Kurtit, nëse do ta rikandidojë atë.
Ky i fundit ka nisur bisedimet me partitë opozitare. Mbrëmjen e së dielës, 22 shkurt, ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza për ti lënë radhën bisedimeve me kreun e LDK, Lumir Abdixhiku.
Hamza pas takimit reagoi duke deklaruar se zgjedhja e kreut të ri të shtetit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë krerëve politik të zgjedhur nga populli, duke shtuar se si subjekt opozitar PDK nuk është pengesë e proceseve shtetërore, ndërsa Abdixhiku ka kërkuar marrëveshje politike.
Vjosa Osmani ka marrë pjesë së fundmi në protestën pro UÇK në Prishtinë në 17 shkurt, me thirrjet për lirimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes të cilëve ish presidentin Hashim Thaçi.
Sipas afateve kushtetuese, Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, ndryshe vendi rrezikon të shkoi përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Sipas procedurës, një kandidat për president duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime deputetësh për të hyrë në garë. Në dy raundet e para kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, megjithatë 80 deputetë gjithsesi duhet të jenë në sallë.
Nëse Kosova nuk e ka emrin e ri për pozitën e presidentit deri më 4 mars, atëherë vendi duhet t’i organizojë zgjedhjet e reja parlamentare brenda 45 ditësh.
/abcnews.al/


