Mund të kishte qenë një duel interesant, edhe pse në distancë. Një Armando Broja përballë Granit Xhakës nuk është diçka që ndodh përditë, veçse sfida mes shqiptarëve mund të presë për një herë tjetër.
Sandërlendi pret Bërnlin sonte në orën 21:00 në Premier Ligën angleze, dhe sulmuesi I Shqipërisë besohet se mund të jetë sërish titullar, ose ndoshta e nis nga stoli, por gjithsesi është pjesë e ekipit.
Broja ka shënuar vetëm një gol këtë sezon në kampionat, por moralin e ka më të lartë pasi kishte dy vjet pa ia dalë mbanë, ndërsa dëmtimet më në fund nuk e kanë shqetësuar.
Vendasit nuk do ta kenë kapitenin e tyre, Granit Xhaka.
Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, që është edhe kapiteni I Zvicrës, ka pësuar dëmtim dhe do të mungojë të paktën edhe 3 javë të tjera.
Ai ka qenë tepër I rëndësishëm për Sandërlendin, me një gol e tre asiste, që do të thotë pjesëmarrje në 25 për qind të rrjetave, por sidomos është dalluar me rolin udhëheqës në fushë.
Pasi mungoi ndaj Uest Hemit, në humbjen 1-3, nuk luan ndaj Bërnlit, e po ashtu humbet vizitën e Sandërlendit në fushën e Arsenalit, pra rastin për të luajtur ndaj ish-ekipit të tij, ku gjithashtu për disa kohë ishte kapiten.


