Sesi do të jetë përfundimi nuk mund ta parashikojmë. Gjithsesi, dimë mirë sesi është e tashmja, me Ligën e Kampionëve që po flet anglisht. Pesë skuadra nga Premier Liga u kualifikuan direkt për në turin e dytë, duke qenë shumica nga 8 gjithsej që e fituan këtë të drejtë.
Arsenali doli i pari, e pas tij Liverpul i treti, Totenhemi i katërti, Çelsi i gjashti dhe Mançester Siti i teti. Vetëm Bajerni e prish dominimin ishullor në katër vendet e para.
“Topçinjtë”, pavarësisht lëkundjeve në kampionat, e mbyllën Championsin ashtu siç e nisën.
Rekordi ishte perfekt me 8 fitore në 8 ndeshje, dhe fitorja e fundit 3-2 në “Hajbëri” ndaj Kairatit nga Kazakistani, sukses i vështirë, por i merituar. Arsenali i trajnerit Mikel Arteta ishte ekipi me më shumë gola të shënuar në fazën e grupeve, 23, dhe më pak të pësuar, 4.
Liverpuli pati 6 fitore e dy humbje, duke shkatërruar Karabakun azer 6-0, me pesë autorë golash të ndryshëm, mes të cilëve edhe Virc e Salah.
Totenhemi ndoshta papritur është I katërti me 17 pikë, një më pak se të kuqtë, dhe me suksesin e rëndësishëm në Frankfurt ndaj Ajnhtrahtit, 2-0 me gola nga Kolo Muani dhe Solanke.
Ndoshta, heroizmin më të madh e bëri Çelsi. Në “gojë të ujkut” në stadiumin “Maradona” mundi 3-2 Napolin vendas.
Kampionët e Italisë patën karakter të përmbysnin nga 0-1 në 2-1, por Zhoao Pedro realizoi dy herë për triumfin kualifikues. Skuadra e fundit angleze që shmangu plej ofin ishte Mançester Siti.
Kampionia e Europës në 2023 nuk e pati shumë problem Gallatasarajin në “Etihad”, duke fituar shpejt 2-0 me gola shënuar nga Haland dhe Çerki. I vetmi ekip anglez që do të duhet të kalojë plej ofin është Njukasëlli, edhe pse barazimi në Francë ndaj PSG-së tregon forcën e “laraskave”./abcnews.al


