Ulja e temperaturave disa gradë nën zero ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në vend. Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se problematikë janë kryesisht segmentet në veri dhe juglindje pavarësisht se gjatë natës nuk ka pasur reshje shiu dhe dëbore.
Termometri gjatë natës ka regjistruar temperatura të acarta që arritën deri në -18°C në Valbonë, -15°C në Kukës, -10°C në Dibër, -15 °C në Qafë Thanë.
Pavarësisht vështirësive raportohet se qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset kombëtare.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë të shtuar janë në terren pa ndërprerje ku kanë bërë pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Drejtuesve te mjeteve i kërkohet të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.


