Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mbi 350 mijë çekë protestojnë në Pragë kundër qeverisë: Duart larg medias

schedule10:08 - 16 Nëntor, 2026

schedule 10:08 - 16 Nëntor, 2026

Mbi 350 mijë qytetarë kanë dalë në rrugët e Pragës, në Çeki, për të protestuar kundër planit të qeverisë për ndryshimin e mënyrës së financimit të medias publike. Protestuesit druhen se ky vendim mund t’i japë qeverisë më shumë kontroll mbi televizionin dhe radion publike, duke rrezikuar pavarësinë e tyre.

Sipas organizatorëve, protesta e zhvilluar të dielën ishte një nga më të mëdhatë në historinë e vendit. Qytetarët u mblodhën në sheshin Letná, një vend me rëndësi historike, ku u zhvilluan edhe protesta të mëdha gjatë Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, që i dha fund regjimit komunist në Çeki.

Në mesin e protestuesve kishte shumë qytetarë që mbanin kapele trekëndore prej letre, të ngjashme me atë të personazhit të njohur të filmave vizatimorë për fëmijë, Večerníček, i cili është kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje. Në pankartat e tyre shkruheshin mesazhe si “Nuk do ta dorëzojmë median” dhe “Duart larg medias”.



Protesta vjen pas disa javësh reagimesh në qytete të ndryshme të vendit, si dhe një greve të punonjësve të Televizionit dhe Radios Çeke.

Në qendër të kundërshtimeve është plani i qeverisë për të hequr tarifën e detyrueshme që qytetarët paguajnë për financimin e medias publike dhe për ta zëvendësuar atë me fonde nga buxheti i shtetit. Sipas protestuesve, kjo do ta bënte televizionin dhe radion publike më të varura nga vendimet e qeverisë dhe do të ndikonte në lirinë e tyre editoriale.

Organizatorët e protestës, grupi “Milionë Momente për Demokracinë”, i kërkuan kryeministrit Andrej Babiš të tërheqë projektin. Kreu i organizimit, Mikuláš Minář, tha se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve ishte një mesazh i qartë për autoritetet.

“Po dëshmojmë diçka të jashtëzakonshme sot. Ky është vetëm fillimi”, u shpreh ai.

Edhe qytetarët që morën pjesë në protestë shprehën shqetësimin se ndryshimet mund të cenojnë pavarësinë e medias. Këngëtarja Šárka Dumišincová deklaroi se media përfaqëson lirinë dhe se çdo përpjekje për ta kontrolluar atë është e papranueshme.

Ndërkohë, programuesi Jan Snasel tha se televizioni dhe radio publike duhet të mbeten të pavarura, duke shtuar se shkurtimi i financimit dhe ndërhyrja në përmbajtjen e tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në punën e gazetarëve.

Plani i qeverisë parashikon shkurtimin me rreth 15% të buxhetit të televizionit dhe radios publike. Kundër këtij projekti janë shprehur edhe disa organizata ndërkombëtare, mes tyre Bashkimi Evropian i Transmetuesve, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe organizata “Reporterët pa Kufij”.

Nga ana tjetër, kryeministri Babiš ka hedhur poshtë akuzat se qeveria synon të kontrollojë median. Ai i ka cilësuar pretendimet e opozitës si të pavërteta dhe ka deklaruar se nuk do të ketë ndërhyrje në punën editoriale të gazetarëve.

Babiš, i cili u rikthye në pushtet vitin e kaluar, drejton një koalicion të përbërë nga lëvizja e tij ANO, partia e djathtë “Motoristët për Veten” dhe partia kundër emigracionit “Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”.

Pavarësisht protestave masive, lëvizja ANO vijon të mbështetet nga rreth 30% e qytetarëve, sipas sondazheve të opinionit publik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!