Beteja e përjetshme vazhdon. I takoi Barcelonës krenaria dhe lumturia e fitores së radhës në “El Klasiko”, duke ngritur trofeun e Superkupës në Arabinë Saudite, ndonëse shpejt do të ketë përplasje tjetër.
Në kryeqytetin Xheda, të besuarit e trajnerit Hansi Flik ia dolën të mbronin titullin e fituar vjet, dhe të merrnin të parin për këtë sezon, me fitoren 3-2 kundër rivalit kryesor në jetë, Realit.
Në një përballje spektakolare në prani të mbi 60 000 spektatorëve në stadiumin e Mbretit Abdullah, dhe në të cilën heroi kryesor ishte Rafinja. Braziliani shënoi dy gola dhe ishte lideri i ekipit, siç e ka treguar edhe më parë.
Është gazeta madrilene, “Marka”, që e veçon yllin e Barçës me titullin: Rafinja i dërgon një tjetër mesazh botës! E quan lojtarin më të nënvlerësuar në rruzull dhe në kopertinë ka këtë vlerësim: Shefi është Rafinja! Barça vazhdon të mbretërojë në Arabi!
Pikërisht Rafnja shënoi golin e parë në 36’, por Vinisius barazoi me aksion të shkëlqyer në fund të pjesës së parë kur u shënuan tri rrjeta në 4 minuta.
Levandovski kaloi sërish katalanasit në epërsi, por talenti “merenges”, Gonzalo Garsia barazoi sërish në minutën e shtatë shtesë.
Në 73’, Rafinja vendosi përfundimisht fatin e trofeut. “El Mundo Deportivo” ka padyshim foton e madhe të ngritjes së trofeut me titullin: Kampionë! Xheda është blaugrana!
E përditshmja tjetër katalanase, “Sport” bën lojë fjalësh në titull: Më shumë se kampionë! Një paralelizëm me epitetin për Barçën, “më shumë se një klub”!
Krijoi polemika gjesti I Kilian Mbapesë që qortoi shokun e ekipit, Karvahal, që po i jepte dorën lojtarëve kundërshtarë, ndërsa ftoi skuadrën të braktiste fushën.
E përditshmja katalanase “Sport” thekson se Reali gaboi që mori Mbapenë në Arabi, pasi ai është i dëmtuar dhe mund të rrezikojë karrierën.
Ndërkaq, festa ishte e Barcelonës, që fitoi trofeun e 106-të, duke mbetur vetëm një prapa Realit, e që mori 12 milionë euro shpërblim.
Edhe bilanci është thuajse I barabartë, 105 fitore “blaugrana” e 107 suksese madrilene.


