Klevis Balliu ish-deputeti i PD ka qenë i ftuar sonte në studion e ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi.
Balliu bëri publike 4 dokumente të vitit 1990 ku tregohej se kreu i sapozgjedhur i SPAK Arben Kraja ka hetuar 2 vëllezër nën akuzën e “prishjes së moralit komunist” dhe “kalim të paligjshem te kufirit”. Kjo tha Balliu është fyerje ndaj shqiptarëve pasi zbehin shpresën që ata kanë tek SPAK.
Gjithashtu Balliu tha se në vitin 1990 kur Arben Kraja ka hetuar këtë çështje, prokurorë apo hetues të tjerë, nuk merreshin më me të tilla ngjarje, sepse ndërkohë kishte filluar largimi i shqiptarëve dhe hyrja e tyre nëpër ambasada. Sipas Balliut, kjo tregon se Arben Kraja ka qenë 1 nga hetuesit më ekstremistë të kohës së regjimit komunist.
Më tej Balliu foli edhe për foton e publikuar në media, ku shihet kreu i SPAK i ulur në një kafe me Ulsi Manjën. Kjo sipas Balliut është konflikt interesi pasi Ulsi Manja është kapur në përgjimet e “BILD”, dosjet e të cilës do ti kalojnë për hetim SPAK.
“Kjo që ka ndodhur është e rëndë sepse SPAK është një shpresë jo vetëm për opozitën por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Figura të tilla po e zbehin shpresën e qytetarëve shqiptarë për SPAK. Edhe vetë procesi i vettingut që bëhet në Shqipëri ka një konflikt interesi sepse Pamela Balluku, motra e ministres Belinda balluku, bën vettingun e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjet e çuara nga ne për ministrinë e infrastrukturës dhe energjetikës, ndërkohë Pamela do të vendosë për këta gjyqtarë. Pra ka konflikte të mëdha interesi të cilat mund të kenë ndikuar në fitoren e një gjykatësi apo prokurori dhe humbjes të disa të tjerëve. Në rastin e Arben Krajës, për ti qëndruar fakteve dhe provave, kërkova dhe gjeta në fakt 4 letra që janë për të njëjtën çështje të hetuesit Kraja të kohës së diktaturës. Çfarë është e rëndësishme të theksohet për çështjen e tij, është që në vitin 1990 Arben Kraja mbronte moralin komunist. Dua të them që në vitin 1990, edhe hetues komunist, nuk merreshin më me akuza të tilla, sepse ishin drejt fundit, Arben Kraja duket që është një nga të vetmit, nga më ekstremistët, të cilët edhe në korrik të vitit 1990 bënte hetime të tilla. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se, hetuesit në atë kohë ishin më të frikshëm se edhe polici që rrinte aty. Fakti që kjo histori ka ndodhur kur ndryshimet e sistemit kishin nisur që në fillim të viteve 1990, tregon se Arben Kraja ka qenë nga më ekstremistët, sepse po në këtë kohë, prokurorë apo hetues të tjerë nuk merreshin më me çështjet e kalimit të kufirit, sepse mijëra qytetarë kishin kaluar tashmë. Nuk dua të spekulojë por hetuesit në atë kohë, një prej detyrave të tyre, ishte torturimi i qytetarëve deri në pranimin e një faji që ata nuk e kishin bërë. Mendoj se nuk mund të ketë ngelur prokuroria shqiptare, apo ligji shqiptar, për hetuesit e Enver Hoxhës. Në 30 vite, ne duhet të kemi prokurorë të tjerë, të cilët nuk janë të lidhur me atë regjim. Pse duhet me patjetër të jetë ai? Kjo është një fyerje për shqiptarët. Këto janë dokumente të arkivave të shtetit dhe nuk mundet askush, as zoti Kraja që ti mohojë, janë të pamohueshme dhe kjo është një çështje e mbyllur”, tha Balliu.
Juli Xhokaxhi: Diçka tjetër që ka lidhje me SPAK është edhe fotoja e dalë ku shihet Ulsi Manja i ulur me një nga kandidatët për kryesimin e SPAK, çfarë të keqe ka, çfarë thotë ligji në këtë rast?
Klevis Balliu: Ajo që dua të theksoj fillimisht është se Zoti Manja është kapur në përgjimet e BILD, për vjedhjen e votës dhe është një dosje e cila do ti kalojë SPAK. A nuk ka një konflikt interesi këtu, si ka mundësi të takohet ky njeri? Edhe nëse do e kishte të afërm nuk mund të zgjidhej në krye të SPAK sepse ka konflikt interesi me persona që do i duhet të hetojë. Të dy këto raste, për kreun e SPAK, mendoj që duhet të mbahet një qëndrim, kam besim të plotë te investimet e SHBA dhe do të ishte mirë, qoftë edhe për të mos fyer shqiptarët me hetues të Enver Hoxhës, që për këta njerëz duhet të mbahet një qëndrim./abcnews.al