Eksperti Ledion Krisafi, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka komentuar strategjinë e Rusisë ndaj vendeve evropiane, duke u ndalur te propaganda në rrjetet sociale dhe përpjekjet për të nxitur tensione e përçarje brenda shoqërive perëndimore.
Sipas Krisafit, Bashkimi Evropian po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë për mënyrën se si Rusia mund të shfrytëzojë zhvillimet e brendshme politike dhe sociale të vendeve evropiane për të krijuar destabilitet.
Ai theksoi se propaganda ruse në rrjetet sociale është zgjeruar, ndërsa një pjesë e përdoruesve nuk arrijnë të identifikojnë origjinën dhe qëllimin e përmbajtjeve që shpërndahen në internet.
Eksperti përmendi Francën si një nga vendet ku, sipas tij, ka një numër të madh llogarish në rrjetet sociale me lidhje me Rusinë. Ai argumentoi se Moska synon të shfrytëzojë protestat dhe pakënaqësitë ekzistuese, duke nxitur elementë që mund të kontribuojnë në krijimin e kaosit.
Sipas Krisafit, pamjet e protestave dhe tensioneve të ditëve të fundit në Francë dhe Britani mund të krijojnë perceptimin e një situate shumë më të rëndë, duke ndikuar në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë stabilitetin e vendeve të tyre.
“BE tani ka filluar të kuptojë se çfarë mund të bëjë Rusia. Në këtë moment Rusia është në një moment industrial të veprimit sa i përket rrjeteve sociale. Janë duke bërë propagandë që shumica e njerëzve që nuk arrijnë ta kuptojnë, është një propagandë ruse e rrjeteve sociale. Në Francë ka pafund llogari që kanë bazën e tyre në Rusi. Rusia vetë nëpërmjet kësaj strategjie, ka rol që të shfrytëzojë protestën dhe të nxisë ato elementë që t’i shërbejnë Rusisë, për të krijuar kaos. Në këto ditën e fundit për të shihje situatën në Francë në pamje dukej sikur ishte në një luftë civile dhe po ashtu e njëjta edhe në Britani. Rusia po mundohet të mundë kundërshtarin në këtë rast Evropën, psikologjikisht. Shohim një Evropë që deri diku është e demoralizuar dhe po mundohet të gjejë zgjidhje…Kjo është një luftë hibride psikologjike që Rusia është duke bërë në pjesë të Evropës”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/


