Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën se Moska do të përpiqet të zgjerojë përparimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit në bisedimet e paqes.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë zgjerimin e një “zone sigurie neutrale” atje. Putini ka deklaruar se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake.
“Së pari, qëllimet e operacionit ushtarak special padyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe t’i adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë”, ka deklaruar Putini.
“Nëse pala kundërshtare dhe patronët e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu vazhdimisht”, ka shtuar ai.
Nga rajonet e Ukrainës që Rusia i ka pretenduar si territor të vetin, ajo aktualisht kontrollon Krimenë, rreth 90% të rajonit të Donbasit dhe 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë.
Për më tepër, Rusia mban disa territore në rajonet ngjitur të Kharkiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Mykolaiv.
Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska do të kërkonte përfitime të mëtejshme në disa nga këto fronte.
Teksa lufta ndodhet në një moment kyç, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet fort për një marrëveshje të shpejtë paqeje, Putini ka thënë se Rusia po përparon në të gjitha frontet.
Por ministri i tij i Mbrojtjes, Andrei Belousov, e ka pranuar se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin kontrollin e qytetit verilindor të Kupiansk – një përpjekje që ai tha se nuk po korr sukses.
Ukraina ka thënë të mërkurën se kishte marrë 90% të qytetit, të cilin Rusia tha se e kishte pushtuar në nëntor.
Putini po ashtu ka thënë se njerëzit në Evropë po indoktrinoheshin me frikën e një lufte me Rusinë dhe akuzoi udhëheqësit e tyre se po nxisin histeri.
“E kam deklaruar vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër në lidhje me ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet mjaft qëllimisht”, ka thënë ai.

