Pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë, Spak, i kërkoi të martën Kuvendit, heqjen e imunitetit për zv.kryeministren Belinda Balluku.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi këtë kërkesë, hakmarrje të prokurorit të çështjes.
“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.”
Në dallim nga herët e tjera, kur nuk është komentuar përmbajtja e cështjeve, Rama thotë se tashmë shumica do të përgatitet për një qëndrim të drejtë.
“Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.”
Por çfarë parashikon rregullorja e Kuvendit për dhënien apo jo të autorizimit për caktimin e masës së sigurisë?
Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Këshilli për Mandatet, Rregulloren dhe Imunitetin pritet të mblidhet të premten e 19 dhjetorit.
Me përfundimin e diskutimit dhe shqyrtimit të kërkesës, ky Këshill ka kohë 2 javë për të hartuar raportin e për tia kaluar seancës për votim, ku merr vulën përfundimtare. Vendimi për heqjen ose jo të imunitetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, minimumi 71 votash.
Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar.
/abcnews.al

