TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, e cila do te anëtarësohet ne Bashkimin Evropian brenda 2030.
Rama tha se ne Shqipëri ka hapësira të shumta për të investuar në disa shtylla kryesore si në energjinë e gjelbër, turizëm e teknologji, me politika mbështetëse fiskale.
Ai thotë se Infrastruktura moderne do ta kthejë Shqipërinë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Europës.
Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, e ftuar në “Money Report” u shpreh se vendi ka potenciale të mëdha në disa sektorë. Ajo theksoi se krahas teknologjisë dhe industrisë, një tjetër sektorë me mundësi është dhe sektori i bujqësisë.
Gjatë diskutimit, ekspertja u shpreh se edhe përdorimi i inteligjencës artificiale do ndikojë në rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë.
“Shqipëria me interes te veçantë për investitorët e huaj. Investitorët duhet të fokusohen edhe në sektorin e bujqësisë, Shqipëria ka shumë atraksione turistike, ka diversitet turistik dhe investitorët e huaj mund ta eksplorojnë më tej. Investimi në sektorin e gjelbër do të ndikonte pozitivisht.
Inteligjenca Artificiale do të ndikonte pozitivisht për të rritur besimin tek investitorët. AI është një element që na ndihmon ne si ekonomi. Mund të zhvillohen shumë ide biznesi. Në Shqipëri pjesa e popullsisë është e kualifikuar me arsim të mesëm dhe të lartë”, tha ajo.
Më tej, Radonshiqi theksoi se ardhja e investitorëve të huaj do të minimizojë largimin e të rinjve drejt Europës.
Sipas saj, ardhja e investimeve të huaja do të krijojë një “Europë të vogla” brenda Shqipërisë, me kushte më të favorshme pune dhe të ardhura më të larta.
“Nëse investitorët e huaj do vijnë të investojnë, asnjë shqiptar nuk do dëshironte të largohej nga vendi, pasi do thoja se me këtë qasje Europën në një formë e kanë në Shqipëri.
Këto takime ndikojnë pozitivisht për Shqipërinë, Shqipëria po punon dhe po ndikon në zhvillimin e diplomacisë ekonomike. Shqipëria po shihet si mënyrë jo vetëm për të bërë biznes, por edhe për të jetuar”, tha ajo.

