Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar për vendimet e sotme të marra në Komisionin e Posaçëm Hetimor, i ngritur për shkarkimin e Kreut të Stetit.
Komisioni zgjeroi sot hetimet për Presidentin edhe lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku anëtarët e mazhorancën kërkuan të merren në pyetje edhe Ardian Dvorani.
Ndërsa, sipas Blushit ky veprim është qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të Dvoranit. Më tej Blushi thekson se ky “solidaritet” vërteton se krimet e Dvoranit janë kryer në bashkëpunim.
Mesazhi i plotë:
Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale.
Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.
Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.
Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës.
Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje.