Tiranë – Shqipëria mikpret një tjetër aktivitet prestigjioz ndërkombëtar; Konferencën Vjetore e IAIS (Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve), mbledhja më e madhe e mbikëqyrësve të sigurimeve. Kjo mbledhje zhvillohet për herë të parë në rajonin e Ballkanit.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se ndryshimi i klimës, pasiguritë financiare, apo kërcënimet kibernetike, mbeten ndër sfidat kryesore që kërkojnë më shumë vëmendje.
“Jemi në një kohë ku e gjejmë vetën të rrethuar nga më shumë rreziqe. Ndryshimi i klimës, kërcënimet kibernetike janë sfidat që kërkojnë prej nesh zgjidhje. Në këtë moment përcaktues është afërmendsh që industria e sigurimeve është përballë sfidave të jashtëzakonshme dhe zgjedhjeve të vështira për ta kthyer rrezikun në rezistencë. Kërcënimet ndaj klimës apo pasiguritë financiare, janë të ndërlidhura. Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme duhet të përqafojmë një qasje rezistente. Ndërkohë që përballemi me rreziqe shpesh na mungon rezistenca financiare. Në shumë vende ekzistojnë ende hendeqe të mbulimit. Shumë familje apo biznese të vogla mbeten pa mbrojtje të nevojshme. Ne na duhet të sigurojmë rrjetet tona të sigurisë. Evoluimi digjital që po kalojnë synon të krijojë tregje më efikase”, tha Rama.

