Pas rikthimit në detyrë nga Gjykata Kushtetuese, Erjon Veliaj ka dhënë urdhërin e parë nga qelia.
Në dokumentin që mban firmën e tij i kërkohet Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve të nisë përgatitjet që Tirana të jetë gati për të pritur festat e fundvitit.
Veliaj kërkon që rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të zbukurohen dhe ndricohen në mënyrë që Tirana të vijojë të jetë një atraksion turistik.
Por ky urdhër i Veliajt, pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese, e la atë në detyrë, më shumë se një kërkesë për përgatitjet e Tiranës për fundvit, lexohet si një mesazh politik se ai do të vazhdojë përpjekjet për ta drejtuar bashkinë nga burgu i Durrësit.
Së fundmi Veliaj ka patur disa përplasje në distancë me Edi Ramen, të cilin e ka bërë fajtor për burgimin e tij me qëllim që ta largojë nga drejtimi i Tiranës. Ndërsa shefi i qeverisë ka përsëritur disa herë që Tirana nuk mund të drejtohet pa një kryetar në zyrë.
Ai ka lënë të nënkuptohet se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet që kryeqyteti të shkojë në zgjedhje. Dhe për këtë ka angazhuar të gjithë deputetet e strukturat që të jenë në terren për të dëgjuar problematikat dhe hallet e qytetarëve.


