TIRANË– Në Bashkinë e Vlorës, nëse zgjedhjet do mbaheshin sot, kandidatja e PS, Brunilda Mersini do shpallej fituese me rezultat të thellë me 69.8 % të votave, kundrejt Partisë Demokratike, e cila nuk do merrte më shumë se 30.2% të votave./
Këto janë të dhënat e dala pas anketimit të 571 banorëve të Vlorës, në sondazhin “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News. Analisti Roland Bejko u shpreh se Partia Demokratike në Vlorë është pothuajse e shpartalluar dhe perceptimi qytetar e dëshmon këtë.
“PD në Vlorë është gati e shpartalluar. PD atje është në ditë të hallit. PD në jug gati është shpartalluar. Si strukturë nuk është më ajo që ka qenë. Kur Berisha ka shkuar në Vlorë në 2000 ka pasur më shumë atmosferë se sot”, tha ai.
Analisti Roland Lami u shpreh se PD është në rënie të lirë dhe për fat të keq kjo rënie sa vjen e po bëhet më e shpejtë.
“PD është në rënie të lirë dhe nuk ka perëndi që e ndalon rrjedhën. Për mënyrën se si është organizuar dhe për mënyrën se si i është qasur tregut politik, PD është në gërryerje”, tha ai./abcnews.al

