Një seancë historike për shtetin, kështu e ka konsideruar Erion Veliaj, seancën që po mbahet këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese.
” Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare, themelet mbi të cilat qëndron shteti ynë. Sepse që nga dita kur miratuam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pranuam demokracinë, si vlerën më të lartë të ushtrimit të pushtetit nga sovrani — nga populli — të gjithë ne, qytetarë, politikanë, nëpunës të shtetit dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë vlerë.
Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë.
Kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit. Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave. Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale. Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar.
“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.”
Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur. Ndaj, jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopësht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve.
E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë. Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit.” tha ai.


