Operacion kundër mafias kineze në Europë

schedule18:05 - 18 Janar, 2018

schedule 18:05 - 18 Janar, 2018

Një operacion i gjerë është zhvilluar këtë të enjte në mbarë Europën kundër një fraksioni të mafias kineze i përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale në të paktën 3 vende.

Të paktën 33 persona, të dyshuar si anëtarë të mafias kineze, janë arrestuar këtë të enjte në Itali, Francë dhe Spanjë. Operacioni është kryer në orët e para të mëngjesit, i fokusuar kryesisht në Itali.

Sipas policisë vendase, grupi kriminal kontrollonte transportin në Europë të mallrave “made in China”, si dhe të produkteve të falsifikuara kineze në Itali. I koduar me emrin “Kamioni Kinez”, operacioni është pjesë e një hetimi të nisur në vitin 2011 dhe veç personave të arrestuar 21 të tjerë janë nën hetim.

Grupi kriminal, që autoritetet e kanë cilësuar të tipit mafioz, kishte nisur veprimtarinë e tij në qytetin toskan të Pratos dhe me kalimin e viteve ishte zgjeruar në Firence, Padova, Milano dhe Romë. Pjesa tjetër e grupit vepronte në Spanjë dhe Francë, ku dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete kriminale si trafiku i drogës dhe prostitucioni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!