Kreu i ri i shtetit në Kosovë, Justina Shiroka Pula është Presidentja e tretë në Kosovë, por ajo e ka bërë historinë e saj, duke qënë e para grua që udhëhoqi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, institucion i themeluar më 1975.
Ajo sjellë në Presidencë një profil të formuar në akademi, ekonomi dhe politikë dhe një karrierë prej disa dekadash. E lindur në vitin 1953 në Prishtinë, në një familje katolike, Shiroka-Pula e ka ndërtuar karrierën kryesisht në fushën akademike.
Ajo u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe vijoi studimet pasuniversitare në Zagreb.
Më vonë mbrojti doktoraturën në ekonomi në Universitetin e Prishtinës, me një punim mbi lidhjen mes investimeve demografike dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës, ndërsa studimet pasdoktorale i kreu në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, përpara se t’i bashkohej Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Për vite me radhë ajo ka qenë pjesë e jetës universitare, si pedagoge. Por aktiviteti i saj nuk është kufizuar vetëm në akademi.
Në vitet 2008 deri në 2011, Justina Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës nën drejjtimin e Hashim Thaçit.
Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës. Pas angazhimit politik, ajo iu rikthye institucioneve akademike.
Tashmë, rrugëtimi i saj institucional vijon në Presidencën e Kosovës ku do të përballet me një tjetër përgjegjësi institucionale: drejtimin e Presidencës së Republikës së Kosovës dhe përfaqësimin e vendit në skenën e brendshme dhe ndërkombëtare.


