Marrëveshja për Gazën është e rëndësishme dhe Trump pret që pengjet të lirohen mes së hënës dhe së martës, ndaj po përgatitet për një udhëtim në Egjipt e Izrael për ta festuar. Por një synim më ambicioz që do t’i jepte vërtet çmimin Nobel për Paqen tani a në të ardhmen, shkruan La Repubblica, do të ishte zhvillimi i një shembulli të ri në Lindjen e Mesme duke zgjeruar Akordet e Abrahamit që të përfshijnë këdo, edhe Teheranin.
“Sulmi në Iran ishte i rëndësishëm për të arritur marrëveshjen e Gazës. Irani do që të punojë për paqen dhe ne do të punojmë me Iranin”, tha ai gjatë një takimi me kabinetin në Shtëpinë e Bardhë.
Një deklaratë e ngjashme u bë për Ukrainën: “Nuk do t’i tërheq trupat amerikane nga Europa, edhe pse mund të përjashtojmë Spanjën sepse nuk investon mjaftueshëm në mbrojtje. Por jam gati të vendos sanksione të reja për Rusinë, do t’i japim fund edhe kësaj lufte.”
Trump falënderoi liderët e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë duke falënderuar Erdogan, bëri shaka me Netanyahu dhe u shpreh i gatshëm për të mbajtur një fjalim para Knesset: “Nëse ma kërkojnë, do ta bëj.” Kjo, gjithmonë nëse nuk e pengojnë analizat në Walter Reed Military Hospital: “Do të përpiqem të shkoj në Egjipt për firmosjen e marrëveshjes.”
Ai është i vetëdijshëm për vështirësitë siç mund të jetë gjetja e trupave të disa pengjeve, por objektivi është i qartë: “Fillimisht kthejmë pengjet, atë që donin të gjithë. Më pas do të diskutojmë çarmatosjen, tërheqjen dhe 20 gjëra të tjera që duhet të ndodhin.” Sa për rindërtimin e Gazës, tha: “Do të krijojmë një Gaza ku njerëzit mund të jetojnë. Vendet arabe do të nxitojnë që të ndihmojnë në rindërtim.”
Sa për zgjidhjen e dy shteteve, Trump tha: “Nuk kam një vizion, do të ndjek çfarëdo që të ndjekin palët.”
Nuk ka dyshime që stili i drejtpërdrejtë dhe i pazakontë i Trump ishte element kyç i marrëveshjes dhe sipas Washington Post, mund ta meritojë Nobelin.
Por suksesi duhet parë në vijim, nga faza e parë në të dytën. Ndërkohë Trump po sheh më tej: ai dëshiron që Akordet e Abrahamit të përfshijnë Arabinë Saudite, lëvizje që shkaktoi nxitjen e Hamasit nga Irani për 7 tetorin dhe ndoshta të përfshijë Teheranin duke krijuar kushte për një paqe që nuk është parë ndonjëherë në Lindjen e Mesme.

