Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar këtë të mërkurë aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe.
Kjo do të thotë që nga sot, Kuvendi ka afat 12 dite për të finalizuar procesin. Ajo saktëson që votimi në grup i nënkryetarëve të parlamentit nuk është kusht.
“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve” thuhet në vendimin e plotë.
Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje. Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.
Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme, e cila i ndalonte deputetëve të ndërmerrnin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese. Ajo ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.
/abcnews.al/

