TIRANË- Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka deklaruar se kandidatura e Florjan Binajt për Bashkinë e Tiranës është produkt i një procesi dakordësimi mes forcave opozitare dhe aleatëve të tyre parlamentarë.
Sipas Alimehmetit, procesi është ndërtuar mbi parime të qarta dhe jo mbi kërkesa të njëanshme. Ai theksoi se Partia Mundësia ishte ndër të parat që artikuloi publikisht kriteret për kandidatin, duke kërkuar një figurë jopartiake, me profil qytetar dhe opozitar, por rrugës nuk i respektoi ato.
Alimehmeti nënvizoi gjithashtu se u mor “ok” i shumicës së forcave opozitare dhe aleate që iu përgjigjën thirrjes, ndërsa Partia Mundësia nuk dha një përgjigje zyrtare para se kandidatura të e Binajt shpallej publikisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Kandidaturë e shkëlqyeshme. Ne patëm një diskutim me partitë aleate parlamentare dhe partitë opozitare, pra që e ndjejnë veten opozitë, me qëndrim dhe veprime. Ramë dakord me disa parime, qendruam te parimet, pritëm. Ne nuk shkuam me kërkesat, pritëm propozimet.
Deklarata më publike qe ajo e Partisë Mundësia, që doli dhe me deklaratë përpara se ne të takoheshim dhe tha se si duhej kandidati. Kjo ka qenë një emërues i përbashkët dhe partitë e tjera kërkonin një kandidat apartiak, që nuk bën pjesë në një parti, s’mund të thuash jopolitik. Jopatiak, që vjen nga shoqëria, që ka demonstruar që ka opozitarizëm.
Pastaj, secili nga forcat, disa kishin dhe disa nuk kishin emra të përveçëm, që plotësonin karakteristikat në fjalë. Kishin disa emra, publikisht kanë dalë tre. Duke qenë një garë e shkurtër, e shpejtë, një nga elementë kyçe që do ishte favor, duhet të ishte një figurë sa më e njohur.
Që njerëzit ta njohin. Në të gjitha vlerësimet që ne bëmë, ishte e qartë që Binaj kishte dhe këtë përparësi. Kishte dhe përparësinë që ishte i njohur dhe është figurë e qartë qytetare dhe opozitare.
Ne shkuam dhe kërkuam “ok” e forcave opozitare dhe aleate dhe morëm ok e atyre që u përgjigjën, ata që u përgjigjën. Nuk është përgjigjur Partia Mundësia, përpara se ne ta komunikonin zyrtarisht përmes kryetarit të partisë, Sali Berishës, i cili e komunikoi publikisht.”, tha ai/abcnews.al

