Mbyllet mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku në rend dite u fut kërkesa e PS për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Këshilltarët bashkiakë, Endri Shabani nga “Nisma Thurje” dhe Dorian Teliti i PD, deklaruan për mediat se do të votojnë për shkarkimin e Veliajt.
Shabani u shpreh se nuk ka arsye që Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ndryshe mendoi Teliti.
Endri Shabani: U diskutua, nuk pati dakordësi. Duhet t’i pyesni. Në mbledhje nuk kishte argumente. Ata thanë mund të vijë, por nuk e lejon prokuroria. Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt. Nuk ka çfarë të diskutohet. Nukk ka çfarë të dëgjohet Erion Veliaj. Ai duhet të jepte dorëheqjen. Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Kërkesa ime ishte që ata ta nisnin me një ndjesë për qytetarët e Tiranës. Kjo nuk u realizua, por e rëndësishme është që Veliaj të shkarkohet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.
Dorian Teliti: Shkarkimi i Veliaj ka qenë nga opozita 7 muaj, po mazhorancës tani i desh që ta besonte. Ndonëse qëndrimi i opozitës dhe aleatëve të saj është kërkuar shkarkimi i i Veliajt të jetë një orë e më parë. Ne kërkojmë që ky proces të jetë i ligjshëm. Të largohet një orë e më parë, por të mos ketë gjë në dorë për t’u kthyer. Vendimi i mazhorancës është i thatë duke iu referuar mandatit 90 ditor. Fakti që mazhoranca insistoi që të mos dëgjohej do të jetë nesër instrument në dorën e Velijat. Veliaj duhet të dëgjohej, çdo gjë t’ia themi atje të sallë. Këshilli Bashkiak duhet t’i drejtohej SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve që të futej në mbledhje./abcnews.al


