TIRANË- Sezon i ri avaz i vjetër. Seanca parlamentare për votëbesimin e qeverisë ishte parashikuar maratonë, por zgjati më pak se 30 minuta.
Fjalën i pari e mori kryeministri Rama, për të prezantuar programin qeverisës. Në 10 minuta ai u ndal tek inovacioni dhe teknologjia.
Së pari, paralajmëroi nën drejtimin e ministers Diella, akseleratorin Albania Inovation 4,
“Akseleratori AI 4 do të bashkojë talente shqiptarë që duan të bashkëpunojnë me Diellën. Do të ndërtojë kompani për Shqipërinë dhe shtetin si aksionerë, e të motivojë shqiptarët. Diella me akseleratorin AI 4 do e pozicionojë bukur Shqipërinë në fushën e qeverisjes, do të kombinojë peshën e shtetit me zhdëvjelltësinë e Start Up. Duke kthyer institucionet në platforma zhvillimore të AI. Jam i keqardhur për kundërshtimet ndaj Diellës. Për rolin dhe pritshmërisë ndaj saj.”
Së dyti, paralajmëroi se inteligjenca artificiale do të injektohet edhe tek sistemi gjyqësor.
“Shteti I së drejtës, është themeli drejt BE. Konsolidimi gjyqësor është thelbësor. Kodi i ri penal, civil janë rrugës si bazë. Revolucioni digjital do të shtrihet tek gjyqësori dhe ligjzbatimi. Shqipëria, i vetmi vend në rajon që përdori AI për negociatat.”
Për të vetët, Rama kishte vetëm një këshillë.
“Dua ti them shumicës, se jo një mandate, por vite të të ra politike nuk mjaftojnë për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate, mbi 50% e zgjedhësve në mbështetjen tonë, janë shifrat e një borxhi.”
Kurse për opozitën, një paralajmërim.
“Pakicës duhet t’i them vetëm se, nuk është puna jonë çfarë bëni, apo çfarë thoni jashtë saj. Por në respect të votuesve, do të keni gjithë hapësirën, nëse do të harroni përdorimin e trupit, këmbëve, rënies me dorë të tavolinave si argumente dhe alternative. Prania jonë do të zgjasë sa një process votimi, mbajeni parasysh këtë.”
Dhe ky paralajmërim, nuk zgjati shumë. Deputetët e opozitës në fillim ishin të qetë, por shfaqja e Diellës, i acaroi. Por kësaj radhe, mazhoranca nuk u tregua e duruar me opozitën.
Rama nderpreu prezantimin e programit dhe parlamenti kaloi direkt në votim. Me 82 vota pro u miratua qeveria e re, me Edi Ramën kryeministër, Diellën ministre virtuale, dhe 16 ministra të tjerë normalë.
Dirigjenti i kaosit nga opoizita, doktori u shfaq i qetë, por i mërzitur se pse nuk foli pas Ramës.
“Opozita nuk do pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë. Nuk është dhunë ndaj parlamentit, është dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë”
Të vetmit të habitur nga ky parlament, mbeten ndërkombëtarët, me duart mbi kokë.


