I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, e cilësoi periudhën aktuale në Kosovë si një nga më të vështirat që nga paslufta.
Ai theksoi se tranzicioni demokratik në Kosovë është devijuar drejt një modeli ideologjik të centralizuar, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përqendrim pushteti dhe dobësim të funksioneve demokratike. Abazi ngriti shqetësime për bllokimin e investimeve, mungesën e kredidhënies nga bankat, shpërndarjen e pakontrolluar të parasë publike dhe largimin masiv të të rinjve, ndërsa paralajmëroi për pasojat e retorikës së përshkallëzuar me Serbinë.
“U ndërtua një moment shumë i rëndësishëm në politikën e Kosovës, kur erdhi një tranzicion pas luftës. Ideja është që në Kosovë ndodhi një tranzicion nga qytetarët me një vrull të madh me idenë që këtu nis një proces integrimi. Shoqëria kosovare është në një shok të plotë, sepse atje kishte një koncept të një demokracie funksionale.
Në vend që të niste tranzicioni, u zhytëm në një tranzicion më të thellë ideologjike. Krimet e komunizmit në Kosovë kanë qenë të tmerrshme, Kurti do ta kthejë Kosovën në konceptin e shtetit që ka në kontroll gjithçka. Për herë të parë pas 25 vitesh bankat nuk japin kredi. Nuk ka qarkullim kapitali, ka shpërndarje të parasë publike pa asnjë kriteri. Kurti po luan me varfërinë e shqiptarëve. Janë ndaluar të gjitha investimet. Janë bllokuar 800 milion lekë fonde nga Bashkimi Europian.
Nuk ka asnjë vend që kërkon të investojë në Kosovë, ku kryeministri i vendit thotë çdo ditë që do të fillojë luftën e re me Serbinë. Kemi dhe një ikje shumë të madhe të rinisë. Kurti nuk e çon hallin fare për këtë punë, sepse është një ideolog që do të mbetet në histori, sepse është një ideolog i majtë dhe lufton me çdo kusht të djathtën”, tha Haki Abazi./abcnews,al

