Familja Laçi nga Borizana e Krujës ishte një ndër mijërat vatrat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit duke mbetur në qiell të hapur duke u detyruar të flenë në magazinë.
Por, ndërkohë që falenderonin Zotin se shpëtuan gjallë, prishja e shtëpisë nuk është problemi më i madh i tyre. Djali i tyre 10 vjeçar, Olsi është diagnostikuar me tumor në kokë duke e rënduar edhe më tej gjendjen e familjes, siç u shpreh për Abc Neës një ditë më parë nëna e tij, Tatjana.
Kronika e transmetuar dje nga Abc News mori mjaft vëmendje duke bërë që autoritetet të ndërhyjnë për të ndihmuar familjen me katër fëmijë që tashmë janë të detyruar të flenë mes shiut dhe të ftohtit në magazinë.
Pas apelit të Abc News gjatë paradites së sotme për familjen nga Borizana u interesuan Ministria e Shëndetësisë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për Olsin, ndërsa Tatjana na informoi se ajo është kontaktua menjëherë nga autoritetet përgjegjëse për përballimin e dëmeve të tërmetit duke i thënë se do t’i dërgojnë menjëherë në shtëpi me qira.
“Na kontaktuan dhe na thanë që të gjejmë shtëpinë që na përshtatet dhe se qiranë do ta përballojë shteti”, tregon Tatjana për abcnews.al.
Kronika e përgatitur dje nga gazetarja e Abc News, Esiona Konomi
Olsi, është një 10 vjeçar nga Borizana e Krujës. Ai është me tumor në kokë, dhe prej natës së tërmetit me nënën dhe tre motrat fle në një magazinë.
Babai i tyre ra pre e një mashtrimi pak javë më parë, ku dikush i kërkoi para për ti kuruar të birin në Suedi, por kur takimi ndodhi, personi i mori paratë dhe u zhduk duke e lënë mes katër rrugëve.
Prej 26 nëntorit, Tatjana dhe 4 fëmijët e saj, flenë në këtë magazinë.
Tërmeti dëmtoi shtëpinë e familjes Laçi në Borizanë të Krujës.
Por shtëpia nuk është halli më i madh i tyre. Djali 10 vjeçar i tyre, është me tumor në kokë.
“Kam një fëmijë të sëmurë, është me kist në tru, dhe me tumor në zorrë të fshehtë”, thotë nëna e tij.
Të vegjlit e shtëpisë janë nisur për në shkollë, por kthehen sapo mësojnë se një televizion ka mbërritur në shtëpinë e tyre.
Esiona Konomi: Olsi, a pi ilaçe?
Olsi: Po shumë.
Esiona Konomi: Çfarë dëshirë ke?
Olsi: Të shërohem dhe të bëj nënën time të lumtur.
Motra e 10 vjeçarit: Që e kam vëllain e sëmurë, unë e ndjej. I ndjej dhimbjet që ka, e di si sillet kur ka dhimbje, dua që vëllai im të shërohet.
Nëna e Olsit: Ne të vështirë e patëm jetën, edhe rasti i burrit, edhe rasti i djalit. Por ky tërmeti që ra na e bëri edhe më të vështirë. I kërkojmë shtetit të na ndihmojë.
Burri i shtëpisë mungon. Ai ra pre e një mashtrimi pak javë më parë. Dikush në emër të një shoqate bamirësie, ju kërkoi para në Suedi, gjoja, për të kuruar Olsin.
“Dikush i tha burrit që do marrësh me vete më tepër se 2 mijë euro. Ne në pamundësi, trokitëm derë me derë dhe i siguruam 2 mijë euro, na i dhanë njerëzit. Kur burri mbërriti në Suedi, ja kanë marrë me gjithë portofol me diskun e dokumentat e spitalit që ka patur në Gjermani. Bashkëshorti thotë që, të shikoj mos gjen ndonjë punë e të punoj, të paktën të laj borxhet që kemi marrë, se na trokasin e na vijnë borxhlinjtë te shtëpia”.
Vogëlushi e do fort shkollën. Ai dhe motrat tashmë studiojnë në Thumanë pasi tërmeti shkatërroi shkollën e Borizanës. Ne e çuam deri në oborr, pasi Olsi nuk pranoi kurrsesi të humbiste ditën e mësimit. /abcnews.al