Donald Trump ka thënë se është gati të kalojë në një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Rusisë, vetëm disa orë pasi Moska nisi sulmin më të madh ajror të luftës deri më tani.
Të paktën katër persona janë vrarë, përfshirë një nënë dhe një foshnjë tre muajshe, ndërsa më shumë se 40 të tjerë janë plagosur, pasi Rusia nisi një bombardim me dronë gjatë natës, shkruan Sky News.
Ndërsa ishte duke shkuar në finalen e turneut të tenisit US Open, presidenti u pyet nëse ishte gati të kalonte në fazën e dytë të ndëshkimit për Moskën, të cilës ai iu përgjigj “Po”.
Komenti i Trump vjen pas deklaratës së Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili tha se presioni shtesë ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund ta nxisë Putinin të hyjë në bisedime paqeje me Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka refuzuar ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin që të udhëtojë në Moskë për të diskutuar për paqe.
Sipas presidentit ukrainas, ftesa e Putinit synon “shtyrjen e takimit” dhe që lideri rus është duke luajtur me Shtetet e Bashkuara.
Putin e ka nënvlerësuar disa herë rëndësinë e takimit me presidentin ukrainas, dhe më vonë ka sugjeruar se mund ta takojë atë, por vetëm në Moskë./abcnews.al

