Meta: Ky vit le të na ndriçojë drejt rrugës së integrimit në BE

schedule21:02 - 17 Janar, 2018

schedule 21:02 - 17 Janar, 2018

Në eventin përmbyllës të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kreu i shtetit, Ilir Meta, bëri thirrje që 2018-a të jetë një vit bashkimi i të gjithave forcave politike drejt rrugës së integrimit europian.

Për Ilir Metën, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, do të jetë gjithmonë krenaria jonë. Meta kërkoi bashkëpunim dhe konsensus nga të gjitha forcat politike që të realizohet hapja e negociatave me Bashkimin Europian.

Ilir Meta: “Ky vit i Skëndërbeut, përveç aktiviteteve të jashtëzakonshme që do të zhvillohen kudo, kërkon nga ne që të bëjmë përpjekjet më të vendosura për të përforcuar edhe rrugën më e sotme eropiane të Shqipërisë përmes çeljes së negociatave Qershorin e ardhshëm. Kjo do të jetë e mundur vetëm përmes një reflektimi e bashkëpunimi më të ri e më të sinqertë të të gjithë forcave politike e shoqërore për ta kthyer vitin 2018 në një vit historik edhe për të ardhmen e sigurt europiane të vendit”.

Në ceremoninë e organizuar nga presidenca ku ishin të pranishëm edhe nje përfaqësi e arbëreshëve, Meta njoftoi se do të ketë disa aktivitete në Itali këtë vit.

Ilir Meta: “Do takohemi edhe në Itali sikundër kemi rënë dakord edhe me presidentin e Republikës së Italisë, zotin Matarela, për të zhvilluar ngjarje e aktivitete edhe atje me arbëreshët tanë të dashur në nderim të kësaj figure të jashtëzakonshme, e cila edhe sot e kësaj dite është më i gjallë se çdo shqiptar tjetër siç ka thënë edhe Noli ynë i madh”.

Në fund, kreu i shtetit tha se festa e çdo gjë e jona ka në ballë figurën e Skënderbeut./abcnews.al