Një tjetër person ka humbur jetën në Kosovë si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor. Ndërkohë, janë konfirmuar shtatë raste të infektimit me virusin, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kjo është viktima e dytë e raportuar nga virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë, pasi disa ditë më parë autoritetet shëndetësore njoftuan për rastin e parë fatal.
Të shtatë personat e prekur janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Tre prej tyre paraqesin shenja klinike të meningjitit akut, tre të tjerë shenja të meningoencefalitit akut, ndërsa një pacient ka gjendje febrile.
Sipas IKSHPK-së, gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026, në Laboratorin e Mikrobiologjisë janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor. Pesë prej të prekurve janë meshkuj dhe dy femra.

