Zgjidhni Shqipërinë nëse doni të shijoni të gjitha llojet e turizmit. Media gjermane RTL në serinë e destionacioneve për pushime në Europë është ndalur në Shqipëri ku thekson se nga Alpet Shqiptare në bregdetin Jon, kjo perlë e Ballkanit po bëhet një nga vendet më joshëse për t’u arratisur në Evropë.
Vendi ofron një larmi të jashtëzakonshme në një zonë të vogël, me natyrë shumë larg turizmit masiv. Në veri, në kufirin me Kosovën dhe Malin e Zi, shtrihen të ashtuquajturat ‘Malet e Nemuna’ ose Alpet Shqiptare. Rajonet e Valbonës dhe Thethit ofrojnë shtigje ecjeje përmes peizazheve spektakolare malore që duken mezi të prekura.
.Ata që preferojnë detin në vend të maleve nuk do të zhgënjehen gjithashtu. Riviera Shqiptare përgjatë bregdetit Jon është një nga rajonet më të bukura, por më pak të zhvilluara në Mesdhe.
Rekomandohen Plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës që kanë rërë të imët, ujëra ngjyrë bruz dhe një atmosferë të relaksuar – pa turmat e resorteve të mëdha.
Ndërsa vlerësohen edhe investimet në infrastrukturë siç është Tuneli i Llogorasë , një projekt i madh infrastrukturor që përmirëson lidhjen midis maleve dhe detit. Udhëtimi nëpër qafën malore, dikur të rrezikshme, është reduktuar nga 30 minuta në vetëm shtatë, duke nxitur turizmin rajonal.
Një ndalesë sugjerohet të bëhet edhe në Tiranë kryeqyteti që përzien ngjyrat, historinë dhe jetën e gjallë.
Sipas medias gjermane edhe pse ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria pranon euro në shumë restorante dhe dyqane. Monedha kombëtare është leku, por turistët shpesh nuk kanë nevojë të shkëmbejnë para.Me një kosto jetese më të ulët se vendet fqinje, Shqipëria është një mundësi pushimi me çmime të përballueshme.
RTL shkruan se Shqipëria ofron natyrë spektakolare, mikpritje të ngrohtë, kulturë të pasur dhe një Rivierë që mund të konkurrojë me destinacione më të njohura. Qoftë duke bërë ecje në male, duke u çlodhur pranë detit apo duke eksploruar qytete historike, ajo mbetet një destinacion i paprekur afër shtëpisë, por edhe botë të ndryshme./abcnews.al

