Shqipëria është një ndër 10 destinacionet më të veçanta për tu vizituar gjatë kësaj vere. Revista amerikane Quartz ka shkruar një artikull ku e rendit vendin tonë përkrah shteteve si Greqia ,Spanja ,Franca apo Austria.
Në shkrim veçohet bregdeti jugor i Shqipërisë për ujërat e kristalta, plazhet e mrekullueshme, peizazhet natyrore dhe kuzhinën me prodhime të freskëta deti. Edhe pse nuk konsiderohet më “perla e fshehur” e Mesdheut si dy dekada më parë, Riviera mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për pushimet verore.
Sipas revistës, Saranda është kthyer në një qendër të gjallë turistike me jetë nate aktive, ndërsa Himara, Palasa, Borshi, Buneci dhe plazhet pranë Ksamilit rekomandohen për ata që preferojnë qetësi dhe natyrë të paprekur.
Përveç bregdetit, sygjerohet se vizitorët mund të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë, Gadishullin e Karaburunit dhe Parkun Arkeologjik të Butrintit, një nga pasuritë më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit.
Revista thekson gjithashtu se afërsia me ishullin e Korfuzit e bën Rivierën Shqiptare lehtësisht të aksesueshme për turistët ndërkombëtarë, pasi tragetet e shpejta lidhin çdo ditë Korfuzin me Sarandën në rreth 30 minuta.
Vlerësimi i Quartz është një tjetër dëshmi e rritjes së interesit ndërkombëtar për Shqipërinë, e cila po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm turistik në Europë.



