Mediat gjermane për vrasjen e Ivanoviç: Mafiozët sundojnë në veri të Mitrovicës

schedule15:03 - 17 Janar, 2018

schedule 15:03 - 17 Janar, 2018

Mediat gjermane raportuan gjerësisht për vrasjen e liderit serb në verë të Mitrovicës Oliver Ivanoviç. Pikërisht kjo pjesë e vendit përshkruhet si një vend ku lulëzojnë strukturat mafioze.

“Vdekja në bastionin e mafies ballkanike,” është titulli i një artikulli në prestigjiozen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Gazeta shkruan se Ivanovic ishte një “pragmatist, i moderuar, kur të tjerët luanin me zjarr, mite dhe histeri kombëtare “. “Është e sigurt se Ivanovic me qasjen e tij jo-kozmetike ndaj realitetit të Kosovës, krijoi shumë armiq”, shkruan gazetari Michael Martens: “… Nacionalistëve serbë gjithashtu nuk iu shkonte për shtat sepse që në fillim u shpreh për të njohur realitetin e pavarësisë së Kosovës… Sloganet e rreme rreth Kosovës si tokë përgjithmonë serbe dhe tokën e shenjtë të Fushë Kosovës, të cilat i përhapën të vetëshpallurit heronj të Kosovës nga Beogradi, për Ivanovic ishin të papranueshme.

Më tej thuhet se Prishtina, Beogradi, misionet ndërkombëtare dhe krimi marrin pjesë në sundimin hibrid të veriut të Kosovës.

Gazeta e Frankfurtit më tej shton se Ivanovic personalisht në intervistat në muajt e fundit ka bërë të qartë se serbët në veri të Kosovës nuk trembën nga shqiptarët por nga serbët e tjerë, nga kriminelët vendorë dhe xhipat pa targa. Kërcënimet, shton artikulli, u bënë më intensive, pasi ai vendosi të hyjë në garën politike për kryetar komune të qytetit kundër kandidatëve të mbështetur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic. ”

Për Kosovën, Serbinë dhe Serbët në Mitrovicë, do të ishte e rëndësishme që të qartësohet vrasja. Por shanset nuk janë të mira. Nga aspekti i sundimit të ligjit, Mitrovica është një vrimë e zezë që tani ka gëlltitur një viktimë të re” përfundon shkrimi.

Ndërsa korrespondenti në Beograd për “Neue Zürcher Zeitung”, Andreas Ernst  shkruan se veriu i Kosovës është ende tokë e askujt që tronditet nga dhuna. Ivanovic përshkruhej si “një serb i njohur i serbëve të Kosovës, i cili ishte duke u përpjekur për të mbajtur një politikë pjesërisht të pavarur nga Beogradi… “.

“Vrasjet mafioze i përkasin jetës së përditshme të vendeve të Ballkanit, si në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në Sofje dhe Shkup. Por kjo vrasje ka të ngjarë të jetë e motivuar politikisht”, shkruan “Spiegel” në versionin elektronik, transmeton DË në gjuhen serbe. “Vrasja e Ivanoviqit vjen në një situate shumë kritike politike. Marrëdhëniet serbo-kosovare janë në pikën më të ulët në vitet e fundit.  Dhe pikërisht Kosova në aspektin politik, ekonomik dhe social – disa javë para dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë – gjendet në fund (të pusit)./abcnews.al