Haga nuk i hap rruge krereve te UÇK. Trupi gjykues i Gjykates Speciale e rrëzoi parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha ngjarjet që sipas mbrojtjes nuk kane ndodhur gjate periudhës së konfliktit të armatosur.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.
12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave.
Mbrojtja e ish-krereve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor, edhe pse dicka e tille nuk ndodhi.
Ish kreret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, kohe nga e cila ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.
Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj madje ka ngritur dyshimet e tij nëse në kete gjykate po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.

