Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po zgjeron ndjeshëm investimet në infrastrukturën energjetike përgjatë zonave turistike bregdetare dhe malore të vendit, në funksion të përballimit të fluksit të vizitorëve dhe garantimit të furnizimit pa ndërprerje gjatë sezonit veror.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, në një intervistë për “Money Report” në ABC Neës, njoftoi se vetëm në zonën e Himarës dhe Livadhit po instalohen 12 kabina të reja elektrike, ndërsa po ndërhyhet edhe në Jalë, Dhërmi, Ksamil, Spille dhe Velipojë.
Investimet nuk ndalen as në zonat malore, ku për vitin 2025 parashikohet një projekt i rëndësishëm energjetik që do të shtrihet nga Boga deri në Lëpushë dhe Theth. Sipas Karakaçit, synimi është që infrastruktura energjetike të ecë paralel me zhvillimin e turizmit në vend.
“Jemi duke futur në Himarë dhe zonën e Livadhit 12 kabina elektrike me 20 kilovotsh, që ne të jemi të përgatitur që të mos kemi problematika. Do të fusim edhe kabinat e Jalës në zonën e Himarës, që do të jap cilësinë e furnizimit. Në zonën e Dhërmiut është futur rrjet kabllor nëntokësor. Kemi një linjë të dytë kabllore në Ksamil, që po ashtu i japin një zgjidhje kësaj zone bregdetare. Javës tjetër fusim një linjë tjetër të re dhe në zonën e Spillesës dhe stacioni i Velipojës, një tjetër investimi. Nuk kemi lënë asnjë vend të mënjanuar. Në planin e investimeve për vitin 2025 kemi planifikuar një investim shumë të rëndësishme që prek Bogën e shkon deri në Lëpushë, gjithashtu kërkojmë që t’i japim një zgjidhje edhe zonës së Thethit. Po përpiqemi që të jemi në të njëjtin hap me kohë dhe investimet turistike në vend”, tha Enea Karakaçi./abcnews.al

