Paketa anti-shpifje, reagon Federata Italiane e Shtypit: Në Shqipëri rrezikohet liria e medias

schedule19:55 - 12 Dhjetor, 2019

schedule 19:55 - 12 Dhjetor, 2019

Federata Kombëtare Italiane e Shtypit ka reaguar pas debateve që po zhvillohen në Shqipëri lidhur me paketën anti-shpifje, që pritet që të miratohet në Kuvend brenda këtij viti.

Sekretari i përgjithshëm i FNSI dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Raffaele Lorusso thotë se në Shqipëri po rrezikohet liria e medias duke kërkuar ndërhyrjen e Romës dhe Brukselit për ta bllokuar.

“Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë janë duke përgatitur goditjen përfundimtare ndaj lirisë së shtypit nën heshtjen shurdhuese të bashkësisë ndërkombëtare. Javën e ardhshme do të fillojë procesi parlamentar i propozimit të ligjit, i mbështetur fuqimisht nga qeveria, e cila nën pretekstin e luftimit të fenomenit të lajmeve të rreme, do t’i lejojë një autoriteti publik të kontrolluar nga qeveria të mbyllë dhe bllokojë faqet informative në Internet. Federata Kombëtare Italiane e Shtypit (FNSI) i bashkohet denoncimit të kolegëve të saj shqiptarë dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, por edhe qeverisë italiane, e cila me Shqipërinë mban marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike dhe tregtare, të kthejë në qendër të vëmendjes veprimet liri-vrasëse që po zbatohen në Vendin e Shqiponjave kundër gazetarëve dhe operatorëve të medieve. Në Shqipëri, prej vitesh shtypi nuk është në gjendje të ndjekë ngjarjet që përfshijnë kryeministrin, kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe partitë e tyre. Konferencat për shtyp nuk bëhen më dhe, edhe kur thirren gazetarëve nuk u lejohet të bëjnë pyetje. Është një situatë e papranueshme, e cila nuk mund të lërë indiferentë institucionet dhe qeveritë evropiane. Nëse është e vërtetë që Shqipëria është një kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, është e paimagjinueshme që negociatat të zhvillohen vetëm për çështje ekonomiko-financiare dhe të mos përfshijnë dhe garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, duke filluar me lirinë e shprehjes dhe të shtypit” mbyllet deklarata./abcnews.al