Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës feston pesë vjet partneritet të suksesshëm me Wizz Air, një nga linjat ajrore me kosto të ulët më të mëdha në Evropë.
Që prej hapjes së bazës së saj në Tiranë në vitin 2020, Wizz Air ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e lidhjeve ajrore ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e kthyer TIA-n në një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.
“Jemi krenarë të festojmë pesë vite partneritet me Wizz Air, një kompani që ka ndikuar ndjeshëm në zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë,” Falë vizionit dhe investimeve të Grupit Kastrati, TIA vazhdon të zhvillohet si një qendër rajonale, duke u ofruar pasagjerëve më shumë akses drejt Evropës dhe duke përmirësuar përvojën e udhëtimit. Jemi të motivuar të arrijmë edhe më shumë arritje së bashku”, tha Drejtori i Përgjithshëm Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Piervittorio Farabbi.
Gjatë festimeve për këtë përvjetor të rëndësishëm, në ambjentetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Wizz Air njoftoi nisjen e tre destinacioneve të reja në tetor të këtij viti nga dhe drejt Tiranës me Larnaka, Qipro, Málaga, Spanjë dhe Malta
Me këto shtesa, Wizz Air do të operojë 56 destinacione dhe 18 shtete nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, duke i ofruar pasagjerëve më shumë mundësi për udhëtime kulturore dhe pushime nëpër Evropë. Në këtë 5 vjetor, linja ajrore lançoi edhe një promocion të veçantë një-ditor, me 15% ulje për fluturimet e përzgjedhura drejt dhe nga Tirana për rezervime të bëra më 1 Korrik 2025 dhe për udhëtime deri më 31 Gusht 2025.
“Sot shënon një moment të rëndësishëm për Wizz Air në Shqipëri. Në vetëm pesë vite, Tirana është kthyer në një bazë kyçe për rrjetin tonë rajonal dhe jemi të lumtur ta festojmë me destinacione të reja dhe një ofertë speciale për klientët tanë. Falenderojmë Aeroportin e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme dhe presim me padurim të rritemi më tej së bashku,” tha , Menaxheri i Komunikimit Korporativ në Wizz Air Salvatore Gabriele Imperiale.
Që prej nisjes së operimeve në Shqipëri në vitin 2017, Wizz Air ka transportuar mbi 19 milionë pasagjerë drejt dhe nga vendi.
Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës si porta kryesore ajrore e Shqipërisë ka shënuar rritjen më të shpejtë në Evropën Juglindore. Investimet e vazhdueshme nga Grupi Kastrati kanë sjellë një transformim të rëndësishëm në infrastrukturë, teknologji dhe përvojën e miliona pasagjerëve./abcnews.al

