Shqipëria është destinacioni misterioz i edicionit të radhës të “Let’s Get Lost”, përvoja e veçantë e udhëtimit që këtë herë sjell një grup vizitorësh nga Varshava për të zbuluar vendin tonë. Udhëtarët u nisën pa e ditur destinacionin dhe vetëm pas mbërritjes zbuluan se kishin fluturuar drejt Shqipërisë.
“Në aeroplan isha me njerëz të mrekullueshëm. I gjithë udhëtimi ishte perfekt. Ështe hera e parë që vij në Shqipëri. Jam shumë i emocionuar. Është një vend i ri që unë vizitoj.”
Me mbështetjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës kjo përvojë ka për qëllim t’u prezantojë vizitorëve disa qytete të Shqipërisë. Në katër ditë turistët do të zbulojnë kulturën, kuzhinën, historinë dhe peizazhet e vendit, përmes një programi rreth përvojave autentike, traditave lokale dhe monumenteve kulturore.
“Është aventurë, është dinamike, është gjithçka që mund ta shijojë pasagjeri. Mendoj se asnjë vend tjetër nuk është si Shqipëria dhe jemi shumë krenarë të lidhim dy baza të ndryshme.
Baza e Varshavës është një nga bazat tona kryesore të rëndësishme në Poloni, dhe Tirana është baza jonë, ne jemi linja ajrore më e madhe këtu në Tiranë dhe në Shqipëri, kështu që jemi shumë krenarë për këtë projekt dhe të gjithë do ta shijojnë atë.”
Si porta kryesore ndërkombëtare e vendit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës luan një rol të rëndësishëm në rritjen e lidhjeve të Shqipërisë me tregjet evropiane dhe në mbështetjen e zhvillimit të turizmit. Bashkëpunimi për “Let’s Get Lost” sjell një tjetër mundësi për ta prezantuar Shqipërinë tek vizitorët e rinj dhe për ta promovuar atë si një destinacion gjithnjë e më të aksesueshëm.
“Let’s Get Lost” është një nga nismat më të njohura të Wizz Air, e menduar për t’u ofruar udhëtarëve ndjesinë e zbulimit të një vendi të panjohur. Përmes kësaj përvoje, Wizz Air vijon të promovojë udhëtimin, zbulimin e vendeve të reja dhe lidhjen mes tregjeve evropiane, duke sjellë këtë herë një grup udhëtarësh për të përjetuar nga afër Shqipërinë./abcnews.al

