Një thikë me dy presa. Kështu e konsideron një nga njerëzit më të rëndësishëm të stolit në vendin tonë, duelin e kombëtares ndaj Serbisë në eliminatoret e Kupës së Botës.
Farruk Sejdini, në intervistë për ABC News, thotë se trajneri Silvinjo dhe futbollistët e tij duhet të gjejnë një ekulibër në natyrën e dyfishtë të kësaj sfide të veçantë.
“Janë dy faktorë, një është faktori profesional, s’po e llogarisim Anglinë, luftën më të madhe e kemi me serbët. Pastaj kemi dhe anën psikologjike, që marrëdhëniet s’para janë shumë të mira edhe kështu që influencojnë. Asnjëra mos punojë në kurriz të njëra tjetrës, të dyja të konvergojnë të shkojnë për qëllimin që ne kemi.”
Çfarë mendimi ka Sejdini për zgjedhjet e Silvinjos për ndeshjen?
“Zgjedhjet, Sylvinho i ka ndjek lojtarët hap pas hapi, ka lojtarët më porbabël, kemi një pikëpyetje te sulmi. Broja ka kohë që nuk po luan, mund të ketë problemet e veta, psikologjike fizike, nuk e di por nëse do të jetë në gjendje optimale mendoj do shërbejë”
Në analizën e Sejdinit, kundërshtari është vërtet i rrezikshëm.
“Nga ana profesionale ka kulturë sportive dhe asnjëherë nuk cedon edhe momenti që duket sikur përpëlitet, është ekip inteligjent. Ndaj duhet ta përballojmë, sidomos kur duket se fle. Nuk është ekip i pathyeshëm, po të luajmë me pak kujdes mendoj se duhet të marrim një rezultat. Lojëtarët janë në gjendje të mirë fizike, janë profesionistë, mendoj do e përballojnë”

