Giannis Antetokounmpo ishte edhe një herë vendimtar për skuadrën e tij në basketbollin amerikan. Ylli afrikan me pasaportë greke u tregua i pandalshëm në fitoren ndaj Orlando Magic.
Edhe vetë LeBron James nuk arrin dot t’i bëjë hije. Giannis Antetokounmpo po arrin në ato nivele ku mund të pretendojë pa druajtje që të cilësohet si numri 1 në NBA. Edhe pse jo nënshtetas amerikan dhe jo prodhim i sistemit të shkëlqyer të basketbollit në Shtetet e Bashkuara, sërish afrikani me pasaportë greke nuk mund të ketë asnjë kompleks.
I tillë është sezoni që po zhvillon dhe e tillë edhe paraqitja në fitoren e fundit, e arritur në fushën e vet ndaj Orlando Magic. Milwaukee Bukcs ia doli me shifrat 110-101, në një duel jo edhe aq të lehtë, dhe u mbajt në epërsi gjatë gjithë kohës falë yllit kryesor. Antetokounmpo pati 32 pikë e 15 topa në tabela, madje iu afrua edhe realizmit të një “triple double”, që nuk është specialitet i tij.
Basketbollisti me numër 34 shërbeu edhe 8 asiste, si dhe vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Parametrat e tij fizikë dhe atletikë e bënë sërish të pamundur për t’u ndalur, madje shpesh Antetokounmpo e kapte po vetë topin kur gabonte në gjuajtje.
Kontributi i tij u nuk dëmtua shumë nga gabimet në gjuajtjet e lira, edhe pse superylli duhet ta ndreqë sa më parë këtë dobësi. Kjo ndaj Orlandos ishte fitorja e 15-të radhazi e Milwaukee, që mbajti ritmin e Los Angelos Lakers, si dy ekipet më të mira në NBA.
Me bilancin 21 fitore e 3 humbje, skuadra e Antetokounmpo është numri 1 në Konferencën Lindore, ndërsa kapiteni i saj është barazim me James Harden në garën për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit. /abcnews.al