Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Vetë gjyqtari nuk mori pjesën në seancën ku u dha vendimi për të, por në sallë ishin miqtë e tij, ish prokurorja Antoneta Sevdari dhe gjyqtari Erjon Bani.
Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate.
Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.
Problemet me pasurinë
Relatorja Valbona Sanxhakatari, gjatë seancës dëgjimore javën e kaluar tha se raporti i ILDKPKI-së për gjyqtarin Fatri Islamaj evidentonte deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme. Gjithashtu sipas Inspektoriatit, Islamaj kishte kryer deklarim të rremë, por nuk ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
Hetimi i KPK-së për Fatri Islamajn është fokusuar tek blerja e një apartamenti me sipërfaqe 144.5 m2 në Tiranë si dhe transaksionet me disa makina, të cilat u konsideruan me probleme.
Lidhur me apartamentin, relatorja Sanxhaktari tha se ishte blerë në vitin 2016 në vlerën e 10.5 milionë lekëve, i financuar 100% nga banka Credins.
“Nga hetimi duket se subjekti e ka blerë pasurinë apartament me çmim preferencial dhe se është favorizuar nga banka në marrjen e kredisë,” konstatoi Sanxhaktari në seancë.
Duke e bërë të qartë që në fillim se do të ndalej gjatë në shpjegimet e tij, Islamaj tha se zotëron pasuri neto gjithsej në vlerën 3.4 milionë lekë dhe se të ardhurat e tij janë 21 milionë lekë.
Islamaj i kundërshtoi gjetjet e Komisionit lidhur me apartamentin në Tiranë. Ai tha se nuk ka trajtim preferencial, pasi vlera për metër katror është rreth 10 mijë lekë më e lartë nga çmimi i tregut. Ai shtoi se apartamenti nuk është përfunduar ende, pasi nuk ka vendosur të jetojë aty si pasojë e rritjes së ndotjes akustike dhe mjedisore. Ai kundështoi edhe pretendimet për trajtim preferencial nga banka, me argumentin se nuk kishte shqyrtuar asnjë çështje të këtij subjekti.

Anëtarja e trupës gjykuese, Pamela Qirko, e pyeti Islamajn se si kishte mundësi që një qytetar të përfitonte 100% të vlerës së kredisë pa pasur kolateral. “Kjo pyetje mund t’i bëhet sistemit bankar,” u përgjigj shkurt Islamaj.
Sanxhaktari vërejti mospërputhje të dokumentacionit edhe në lidhje me një autoveturë tip “Toyota” të blerë në vitin 2017 në vlerën 250 mijë lekë si dhe mungesën e dokumentacionit për blerjen dhe shitjen e një autoveture të markës “Cadillac” në vitin 2006.
“Nga verifikimet nuk rezulton e provuar me dokumentacion që subjekti të ketë pasur në pronësi këtë mjet,” tha Sanxhaktari për “Cadillac-un”.retendime për konflikt interesi.
Lidhur me Pastërinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtarit Islamaj për vazhdimin e detyrës. Komsioni evidentoi se gjyqtarit Islamaj i është refuzuar një vizë nga Ambasada Amerikane, por Sanxhaktari shtoi se nuk janë gjetur probleme. Islamaj shpjegoi se arsyeja e refuzimit të vizës turisitike kishte qenë se ata ishin në proces bashkimi familjar, pasi vjehrri dhe vjehrra e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005.
Në përfundim të seancës dëgjimore, gjyqtari Fatri Islamaj kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 5 dhjetor, ora 14:00.
/abcnews.al




