Një oficer policie dhe një kalimtar kanë humbur jetën në Montreal të Kanadasë si pasojë e një sulmi me armë në një hotel këtë të hënë.
Autoritetet kanadeze deklaruan se sulmuesi, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u vra në vendngjarje gjatë një përplasjeje me autoritetet, ndërsa një polic i dytë mbeti i plagosur.
Ishin qytetarët ata që njoftuan autoritetet për një person të armatosur që po qëllonte nga dritarja e hotelit Hilton. Dhjetëra forca policore mbërritën në vendngjarje duke u përballur me të shtënat.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e motiveve të ngjarjes.
Dëshmitarë okularë thanë se kishin dëgjuar disa të shtëna dhe kishin parë forca të shumta policie që mbërrinin me shpejtësi në zonë, ndërsa më pas u dëgjuan edhe shkëmbime të tjera zjarri.
Autoritetet e sigurisë publike lëshuan një alarm emergjent për një person të armatosur dhe të rrezikshëm, duke u kërkuar banorëve të qëndronin brenda dhe të shmangnin zonën. Alarmi mbeti në fuqi për disa orë.
Një banor i zonës tha se kishte dëgjuar zhurma të forta dhe më pas të bërtitura, si edhe kishte parë një oficer policie të shtrirë në tokë dhe një dritare të thyer në hotel, duke supozuar se të shtënat kishin ardhur nga brenda ndërtesës.
Autoritetet mbyllën disa segmente rrugore dhe linja metroje në qendër të qytetit për shkak të operacionit policor, i cili ishte ende në zhvillim.



