Partia Socialiste i është drejtuar KQZ duke i kërkuar që të shfuqizojë vendimin për lënien mënjanë të fletëve të votimit të Greqisë për Korçën, dhe vijimin me numërimin e fletëve të tjerë për këtë qark.
Sipas PS, ky akt cilësohet absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, bazuar në parashikimin e nenit 124/1, pika 2, që sipas tyre ndikon në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025.
“Komisioneri nuk mori masat e duhura dhe nuk ushtroi kompetencat e tij për ta zgjidhur këtë situatë, por përkundrazi, vendosi që vullneti i 53.000 shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetin Grek, të konsiderohet me “ves”, duke paragjykuar dhe duke mos i dhënë vlerën e duhur votës së shtetasve shqiptarë, duke e trajtuar atë në mënyrë të pabarabartë me votat që vijnë nga shtetet e tjera ku jetojnë shtetas shqiptarë”, thotë PS.