LVV-LDK ende pa marrëveshje për qeverinë, analistët: Mund të konstituohet Kuvendi

schedule12:10 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 12:10 - 9 Dhjetor, 2019

13 ditë pas certifikimit zyrtar të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka ende një marrveshje për koalicion qeveritar mes dy partive që u renditen në dy vendet e para në këto zgjedhje.

Bisedimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës, thuhet se po krijojnë ngërç në negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por edhe pse nuk është arritur ende një marrëveshje rreth qeverisë, sipas njohësve të çështjeve juridike, mund të vijojnë procedurat për konstituimin e Kuvendit.

Në kushtetuten e Kosovës parashikohet që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Seanca e parë e Kuvendit mund të thirret nga Presidenti i Republikës ose nga vetë Kuvendi, nëse kreu i shtetit nuk e bën këtë gjë.

Analistë të çështjeve politike thonë se Kuvendi dhe qeveria duhet të formohen sa më shpejt, duke marrë parasysh faktin se Kosova funksionon me një qeveri në largim që nga muaji korrik.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë bërë thirrje që qeveria e re të formohet sa më shpejt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!