Pas apelit të 8-vjeçares nga Miloti në “Abc News”, familja e saj është pajisur me një çadër dimërore dhe ndihma ushqimore.
“Na kanë sjellë disa ndihma ushqimore, oriz, makarona, dyshekë, batanije dhe një çadër. Ndihmat që na kanë sjellë nuk na mjaftojnë sepse jemi tetë persona”, tregon vajza e familjes.
Pas kronikës së transmetuar në “Abc News”, ndihma për këtë familje kanë ardhur edhe nga Kosova. Jeton Abazi nga Peja bashkë me 5 persona të tjerë kanë ofruar 1600 euro për familjen.
“Përmes televizionit “ABC News” jemi njohur me rastin dhe krijuam mundësinë që sao pak ta ndihmojmë këtë familje”, u shpreh Abazi.
Familjes prej 8 anëtarësh iu dëmtua banesa nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tashmë ata presin një zgjidhje strehimi nga strukturat shtetërore./abcnews.al