“Spanjolli” Sadiku: Malaga, si Shqipëria ime! Jam i befasuar nga trajneri

schedule10:21 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 10:21 - 8 Dhjetor, 2019

Armando Sadiku ishte heroi i Malagës, pasi shënoi dy golat që i dhanë fitoren kundër Tenerife. Sulmuesi ka dhënë një intervistë të gjatë për “eldesmarque.com” dhe rrëfen transferimin e tij në verë, jetën që bën në Malaga, raportin me Keidi Baren dhe trajnerin Victor Sanchez. Sadiku nuk lë mënjanë tifozët, të cilët e duartrokitën kur u zëvendësua me Tenerifen, ndërkohë që flet edhe për të ardhmen dhe dëshirën e tij për të qëndruar dhe shënuar sa më shumë gola me fanellën e Malaga.

JETA NË MALAGA DHE TRANSFERIMI – “Ndihem shumë mirë këtu, si në shtëpi, dhe kjo falë njerëzve në klub, tifozëve dhe njerëzve të tjerë jashtë. Jam i lumtur te Malaga. Jetoj këtu me familjen time dhe jemi të lumtur me jetën që bëjmë. Lumturia e familjes time është shumë e rëndësishme për mua. Jam i lumtur që e mora vendimin për të ardhur këtu. Ishte një vendim i marrë shumë shpejt, pasi ishin ditët e fundit të merkatos. Fola me Keidin dhe më tha që ekipi ishte i mirë, ashtu sikurse edhe qyteti.

Që në ditën e parë më tha se duhet të shënoja shumë gola. Fjalët e tij ishin shumë të mira dhe vendosa të vij këtu. Kam një raport shumë të mirë me Keidin dhe me familjen e tij. Jemi gjithmonë bashkë, kalojmë kohën së bashku të dyja familjet. Ai është shoku im i parë këtu në Malaga, më ka ndihmuar shumë. Jeta këtu? Jam djalë i qetë dhe nuk bëj shumë gjëra. Mbaroj stërvitjen dhe shkoj në shtëpi për të ngrënë. Më pas fle gjumë. Kohën e lirë dal me gruan në qytet. Më pëlqen të shikoj filma, të pushoj dhe të bëj shopping”, tregon sulmuesi i kombëtares.

ELOZHET E TIFOZËT – “Është me të vërtetë një ndjenjë e jashtëzakonshme. Kur luaj në Rosaleda ndjej diçka që më ndodh vetëm në ndeshjet e kombëtares sime. Atje njerëzit e duan futbollin, kur luan Shqipëria, stadiumi është gjithmonë plot. Kur luaj në Malaga ndihem si në shtëpinë time. Ndihem në mënyrë të mrekullueshme kur zbres në fushë. Emocionohem dhe dua të jap më shumë se 100% nga vetja. Ishte diçka e veçantë kur tifozët më duartrokitën”, rrëfen autori i 6 golave me Malagën këtë sezon.

RAPORTI ME TRAJNERIN DHE PRESIONI – “Të jem sulmuesi i vetëm në skuadër më motivon. Kur luaj dua të jem shembull për shokët e skuadrës. Dua gjithmonë të jap më shumë. Jam dëmtuar për dy javë dhe kam vuajtur shumë. Doja të luaja, edhe pse i dëmtuar. Jam i privilegjuar sa herë zbres në fushë dhe luaj. E kam thënë gjithmonë, trajneri më ka dhënë besim. Për një sulmues është diçka e rëndësishme. Kur e ke besimin e trajnerit, e di që kur të dështosh ndonjëherë nuk do të ndodhë asgjë.

Kjo të jep mundësinë që herën tjetër të bësh më mirë. Trajneri është një person shumë pozitiv, kurrë nuk kam parë një trajner kaq pozitiv. Kjo më bën të ndihem i emocionuar dhe më detyron të jap edhe më shumë për ekipin dhe klubin. Marrëdhënia ime me Victor është krijuar vetëm falë besimit që më ka dhënë. Shpresojmë të qëndrojmë gjatë së bashku dhe të bëjmë gjëra të rëndësishme për Malagan”, shprehet sulmuesi.

E ARDHMJA – “Dua të qëndroj këtu dhe të shënoj sa më shumë gola. Shpresoj që në fund të sezonit të bëjmë diçka të mirë për tifozët e Malaga dhe për klubin. Ata e meritojnë më shumë nga ne tani. Duhet të punoj dhe të shënoj sa më shumë gola. Gjithçka mund të ndodhë deri në verë, por ka shumë kohë deri në mbyllje të sezonit. Thjesht dua të paraqitem sa më mirë këtu, të luaj dhe të ndihmoj ekipin. Të shohim përpara”, përfundon Sadiku. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!