Shpërthim gazi, shtatë persona humbin jetën

schedule07:16 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 07:16 - 8 Dhjetor, 2019

Një shpërthim gazi në një bllok banesash në Sllovakinë lindore ka shkaktuar vdekjen e shtatë personave.

Zjarrfikësit vazhdojnë të kërkojnë në ndërtesën e qytetit të Presovit një person që ende është i humbur. Departamenti shtetëror i zjarrit njoftoi se numri i viktimave të konfirmuara arrin në shtatë ndërsa një person rezulton i humbur.  “Në përgjithësi, supozojmë se numri i viktimave në vend është tetë, shtatë të konfirmuara”, thuhet në njoftimin e departamentit shtetëror të zjarrit.

Shpërthimi ndodhi në majë të ndërtesës 12-katëshe, pothuajse gjysma e ndërtesës ishte e përfshirë në flakë dhe tre katet e larta u shkatërruan. Zyrtarët thanë se 40 persona ishin lënduar. Komandanti i  forcave zjarrfikëse, Jan Golias tha: “Zjarrfikësit nuk ishin dakord me ndryshimet e ndërtimit të bëra në vitin 2017. Disa rregullore u shkelën. Kjo mund të ketë shkaktuar rrëzimin e shkallëve, ku ne nuk mund të evakuonim banorët”.

Ndërkohë kryeministri i Sllovakisë Peter Pellegrini tha se ndërtesa është aq e dëmtuar sa mund të shkatërrohet. Banorët në ndërtesat aty pranë u evakuan dhe qëndruan nëpër shkolla./abcnews.al