“Ishte e thënë që fati ynë të na sillte në një përballje të tillë, si përfundimtare, me historinë tonë të mundimshme, duke na e dhënë neve, shqiptarëve të dekadës së tretë të shekullit XXI, shansin t’ia që tja ndryshojmë përgjithnjë rrjedhën historisë.
Tamam këtu, tamam tani, mu në një kryqëzim mes një palë zgjedhjesh politike, për partinë që do të qeverisë katër vjet dhe një mundësie historike, për Shqipërinë që në vetëm katër vjet mund të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar europiane. Ne, vetëm ne dhe askush tjetër kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe kemi vetëm 30 ditë përpara, për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar me çdo shqiptare që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e BE-së, e veten e vet qytetar e qytetare të barabartë të Europës.
Prandaj edhe është ndryshe nga gjithë herët e tjera, mbledhja jonë sot, këtu në këtë shesh, ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes stoik, shëmbëlltyra e profetit tonë kombëtar, hipur mbi kalin e historisë së shqiptarëve.

