Krimi në familje, Marjan Levanti del i papërgjegjshëm

schedule17:27 - 15 Janar, 2018

schedule 17:27 - 15 Janar, 2018

Dy ekspertë psikiatër kanë vlerësuar si të papërgjegjshëm mendërisht Marjan Levantin. Ai po hetohet për ngjarjen e dhjetorit 2016, ku plagosi tre familjarë të ish-bashkëshortes, Eleni Kocaqi, një prej të cilëve ndërroi jetë. Ky akt është parë me dyshim nga familja Kocaqi, e cila ka kallëzuar penalisht mjekët. Ndërsa Prokuroria ka urdhëruar një riekspertim nga mjekë të tjerë.

Tre anëtarë të familjes Kocaqi u plagosën me thikë në mbrëmjen e 23 dhjetorit të vitit 2016 gjatë një sulmi fizik në banesë nga ish-dhëndri i familjes, Marjan Levanti. Sipas prokurorisë, plagosi prindërit e ish-bashkëshortes dhe vëllain e saj, Altin Kocaqi, i cili ndërroi jetë nga plagët dy muaj më vonë. Një vit pas ngjarjes, kur prisnin ta shikonin ish-dhëndrin të pandehur për “vrasje” në Gjykatën për Krimet e Rënda, familja Kocaqi ka nisur një tjetër betejë ligjore kundër tij.

Shkak është bërë konkluzioni i një ekspertimi psikiatriko-ligjor të kryer ndaj Levantit gjatë hetimit. Sipas aktit, një kopje e të cilit zotërohet nga “ABC News”, Marjan Levanti vuan prej vitesh nga probleme mendore. Sipas mjekëve psikiatër, krimi është kryer nën ndikimin e sëmundjes. Ky përfundim përjashton nga përgjegjësia penale të akuzuarin dhe minimizon mundësinë që ai të dënohet me burg.

Duke pretenduar të kundërtën, ish-bashkëshortja e Levantit, Elena Kocaqi dhe tre familjarë të saj kanë kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës dy ekspertët mjeko-ligjorë që kanë kryer ekspertimin. Sipas kallëzuesve, ekspertimi është i rremë dhe i pavërtetë. Ata pohojnë se Marjan Levanti nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe se mjekët nuk i janë referuar kartelës klinike të tij, ku nuk përmendet asnjë problem i tillë. Në përfundim, anëtarët e familjës Kocaqi kërkojnë hetimin e dy ekspertëve për akuzën e “ekspertimit të rremë” dhe “shpërdorim të detyrës”.
Nga ana tjetër, duket se dyshime për këtë akt ka edhe vetë Prokuria për Krimet e Rënda. Prokurori i çështjes ka kërkuar një riekspertim mendor të të dyshuarit Levanaj nga një grup tjetër ekspertësh psikiatër.

Urdhri i Krimeve të Rënda i është përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore në 10 janar 2018.
Aktualisht Levanti po hetohet në masën e sigurisë “shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik”. Sipas Prokurorisë, ditën e ngjarjes ai ishte futur fshehurazi në banesën e familjarëve të ish-bashkëshortes, ku më pas u përlesh fizikisht duke plagosur tre prej tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!